
Përdorimi i rrobave të ngushta nuk pëlqehet, si në fe ashtu dhe në mjekësi, sepse janë të dëmshme për trupin. Disa nga këto rroba ia vështirësojnë shumë atij që falet rënien në sexhde. Kur përdorimi i këtyre rrobave çon në lënien e namazit apo të disa namazeve, ndalohen kategorikisht.
Është saktësuar me prova, se pjesa më e madhe e atyre që i veshin këto rroba nuk falen, ose mund të falen rrallë, si shembulli i hipokritëve! Një numër i madh i njerëzve që falen në këtë kohë, përdorin rroba që shfaqin njërin apo të dy organet e turpshme.
Hafidh Ibn Haxheri ka përcjellë nga Eshhebi, se kur u pyet për një njeri që falet vetëm me siruale (pantollona treçerekëshe), duke pasur mundësi që të mbulohet edhe me një rrobë tjetër, u përgjijgj: “Duhet të përsërisë namazin në kohë, me përjashtim të rastit kur rroba është e trashë, ndërsa te disa hanefi, një veshje e tillë është e padëshirueshme.”[1]
Këtu bëhet fjalë për sirualet shumë të gjëra që mbanin në atë kohë, atëherë çfarë mendoni për pantallonat shumë të ngushta që përdoren sot?
Dijetari i madh Albani thotë: “Pantallonat kanë dy probleme të mëdha. Problemi i parë është se përdoruesi i tyre u ngjason mohuesve, sepse muslimanët përdornin siruale të gjera dhe të bollshme, të cilat përdoren edhe sot nga disa individë në Siri dhe Liban. Muslimanët i kanë njohur pantallonat vetëm pas kolonizimit. Kur u tërhoqën, kolonizatorët lanë pas gjurmët e tyre të këqija, të cilat i praktikuan muslimanët në sajë të injorancës dhe marrëzisë së tyre. Problemi i dytë është se pantallonat shfaqin auretin (pjesët e turpshme të trupit). Aureti i burrit fillon nga gjunjët e deri te kërthiza, në këtë mënyrë namazliu duhet të jetë sa më larg kundërshtimit të Allahut, veçanërisht në çastin kur qëndron i përulur në sexhde para Krijuesit. Është për të ardhur keq, sepse kur ky njeri përkulet (në sexhde) i shfaqen qartë të ndenjurat, madje edhe pjesët gjenitale i vëren të konkretizuara fare mirë. Si mund të falet ky njeri kështu dhe më pas të qëndrojë në këtë formë para Zotit të Gjithësisë? Është për t’u habitur sesi një numër i madh djelmoshash i kritikojnë gratë, që veshin rroba të ngushta, sepse shfaqin trupin e tyre, por harrojnë vetveten, e cila ka rënë pre’ e veprës për të cilën kritikojnë. Nuk ka dallim mes një gruaje që vishet me rroba të ngushta dhe paraqet trupin e saj, me një djalosh që vesh pantallona, kur dihet se këto të fundit ia shfaqin fare mirë organet gjenitale. Organet e turpshme të burrit apo të gruas, për nga koncepti i auretit janë të njëjtë. Prandaj, këta djelmosha duhet të kenë kujdes kundrejt këtij problemi që u kanoset, me përjashtim të atyre që i ka ruajtur Allahu xh.sh., por ata janë shumë pak.”[2]
Nëse pantallonat me të cilat falesh janë të gjera e jo të ngushta, atëherë namazi është i saktë. Më e mira është që të hedhësh sipër tyre një rrobë (këmishë të gjatë), e cila do të mbulojë pjesën nga kërthiza deri te gjunjët, apo duke e zgjatur kështu deri në kërci dhe fundja deri në nyjet e këmbës, sepse ky është mbulimi më i plotë.[3]
[1] “Fet’hul Bari” (1/476).
[2] Marrë nga një kasetë e inçizuar në Jordani në muajin Muharrem të vitit 1407 h, në të cilën shejhu u përgjigjet pyetjeve të Ebu Is’hak Huejn Misriut. Gjithashtu, shih kushtin e katërt që përmend shejhu atëherë kur flet për kushtet që duhet të plotësojë xhilbabi (pardesyja) i gruas muslimane; të jetë i gjerë e jo i ngushtë dhe të mos pasqyrojë asgjë nga trupi i saj. “Hixhabu el Mereti el Muslime”, fq. 59.
Pra, ky gabim praktikohet si nga gratë ashtu dhe nga burrat, por në kohët që jetojmë te burrat është më i përhapur, kjo për vetë faktin se shumica e muslimanëve falen me pantallona dhe shumë nga ata me pantallona të ngushta, ue La haule ue la kuete ila bilah. I Dërguari i Allahut a.s. ka ndaluar që një burrë të falet me siruale, pa hedhur sipër ndonjë rrobë.
E përcjell Ebu Daudi dhe Hakimi, ndërsa hadithi është i mirë siç është shënuar në librin “Sahih El Xhami es-Sagir” me nr. (6830). Gjithashtu, e ka përcjellur Tahaviu në librin “Sherh Meani el Athar” (1/382). Rreth kësaj teme mund të shikosh edhe librin “El Idah ue Tebjin lima uekea fihi el ektherune min mushabehetul mushrikin” (1/69), shkruar nga Shejh Hamud Tuejxhiri, fq. 77-82.
[3] “Fetvatë e shejh Abdul Aziz bin Bazit” (1/69). Një fetva e tillë është dhënë dhe nga komisioni i përhershëm i kërkimeve, studimeve dhe fetvave rreth pyetjes së protokolluar me nr. 2003: Cili është vendimi i Islamit për namazin e një njeriu që falet me pantallona? Komisioni u përgjigj tekstualisht: Nëse kjo rrobë e veshur nuk shfaq auretin për shkak të gjerësisë që ka dhe nuk e bën të tejdukshëm mishin e trupit për shkak të trashësisë, në këtë rast lejohet që të përdoren për namaz. Por nëse janë të tejdukshme dhe shfaqin auretin, në këtë rast namazi prishet. Nëse ato vetëm e konkretizojnë auretin, në këtë rast nuk është e pëlqyeshme që të përdoren për t’u falur, me përjashtim të rastit kur nuk gjenden të tjera. Me ndihmën e Allahut arrihet suksesi.
No comments:
Post a Comment